Hilli dhe Braathu bisedojnë me Bërnabiqin për planin shtatë pikësh për Luginën

Hilli dhe Braathu bisedojnë me Bërnabiqin për planin shtatë pikësh për Luginën

Gjatë ditës së djeshme, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka takuar ambasadorin amerikan Christopher Hill dhe shefin e misionit të OSBE-së në këtë vend, Jan Braathu.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte plani 7 pikësh për Luginën e Preshevës.

“Takim konstruktiv me Kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq dhe ambasadorin e Ambasadës së SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, për të përcjell progresin e bërë në zbatimin e Planit Shtatëpikësh të Qeverisë Serbe më 2013. Misioni i OSBE-së në Serbi do të vazhdojë të punojë në partneritet të ngushtë me Qeverinë në mbështetje të integrimit dhe përfshirjes së pakicave kombëtare në Serbi”, tha OSBE-ja në një postim në Facebook.

Ndërkaq, për takimin njoftoi edhe qeveria serbe, por nuk tha se është biseduar për planin 7 pikësh.

Çka është plani shtatë pikësh?

Këshilltarët shqiptarë të komunave Bujanoc, Preshevë e Medvegjë në vitin 2013 kishin hartuar një dokument të quajtur “Masat e domosdoshme për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, i njohur si plani shtatë pikësh i shqiptarëve të këtij rajoni për bisedime me qeverinë serbe.

Ky dokument i aprovuar nga kuvendi i këshilltarëve shqiptarë në mars të vitit 2013, kishte për qëllim fillimin e bisedimeve me qeverinë e Serbisë për të zgjidhur problemet e shqiptarëve të këtij rajoni, shkruan “Titulli”.

Në këto pika ishin përfshirë integrimi i plotë i shqiptarëve, revitalizimi ekonomik, revitalizimi i së drejtës në përdorimin e gjuhës, shkrimit dhe simboleve nacionale, decentralizimi në gjyqësi, arritja e sigurisë së plotë në rajon, arsimi, kultura e informimi, dhe pika e shtatë masat në shëndetësi e sigurim social.

Këtë plan e miratoi qeveria e Serbisë në qershor të vitit 2013 dhe filluan bisedimet e mbështetura edhe nga faktori ndërkombëtar, para së gjithash nga OSBE-ja, por pas një kohe të shkurtër u ndërprenë.

Related Articles