Pas tërheqjes së Joe Biden nga gara për president, të shumta kanë qenë reagimet e bashkëpuntorëve të tij si dhe kundërshtarëve.
Për tërheqjen e tij kanë reaguar edhe politikanët e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka falënderuar presidentin e ShBA-së, për ndihmën që sipas tij, ia ka dhënë Kosovës gjatë shërbimit të tij si senator, zëvendëspresident dhe president i Shteteve të Bashkuara.
Krasniqi tha se në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe zhvillim, Biden ka qenë gjithmonë shtyllë e fortë mbështetëse.
“Lidhja e Presidentit Biden me Kosovën tejkalon pozicionet që ka bartur ai dhe shtrihet edhe në rrafshin familjar. Beau Biden, djali i tij i ndjerë, pas çlirimit të Kosovës, kishte kontribuar në ndërtimin e institucioneve tona. Sot, me krenari, një rrugë e vendit tonë mban emrin e tij”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje ai ka shtuar se Kosova dhe populli i saj janë me fat dhe të lumtur që përkrah kanë pasur një mbështetës vokal dhe të rëndësishëm siç ishte Biden. /Gazeta Enigma