Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri si kryeministër.
Në letrën e tij, Latimer ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin dhe institucionet e Kosovës për avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe prosperitetit ekonomik.
Kongresisti amerikan ka kërkuar gjithashtu bashkëpunim ndërpartiak në Kosovë për zgjedhjen e Presidentit të ri, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Latimer.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 6 tetor 2026. Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Kurti dhe Latimer janë takuar më 22 shtator në New York, në kuadër të vizitës së kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

