Pas suspendimit prej dy javësh, periudhë në të cilën s’do të marrë as rrogë, historia mes Leo Messit e Paris Saint-Germainit ka marrë fund: nuk ka marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
Arsyeja kryesore e ndarjes në ardhje ishte udhëtimi i papritur, megjithatë i parashikuar, por pa marrë leje nga klubi aktual i kampionit të freskët botëror.
Por, çka ndodhi ekzaktësisht?
Argjentinasi e mori fluturimin drejt Lindjes së Mesme pa e marrë miratimin e klubit, për të diskutuar rreth një marrëveshjeje të sponsorizimit për turizmin saudit.
Vizita ishte programuar më parë, por ish-futbollisti i Barcelonës e kishte shtyrë atë dy herë.
Zakonisht, klubi parisien i lë lojtarët të lirë të hënave, një ditë pas lojës.
Por, Messi e kishte programuar udhëtimin duke menduar se nuk do t’i shfaqeshin probleme.
Dhe, derisa “Pleshti” ishte duke shkuar, trajneri Galtier befasisht e anuloi ditën e pushimit dhe ishte e pamundur për lojtarin që të merrte pjesë në ushtrime, për ta shtyrë kështu udhëtimin për herë të tretë.
Babai i futbollistit, njëherësh edhe menaxher i tij, është munduar që të diskutonte me drejtuesit e Paris Saint-Germainit për ta gjetur gjuhën e përbashkët, por një gjë e tillë ishte e pamundur të ndodhte.
Kështu, shtatë herë fituesi i Topit të Artë e mori rrugën drejt Arabisë, “trip” ky që i kushtoi jo pak 35 vjeçarit.
Ai i prishi punët përfundimisht me parisienët dhe qysh tash mund t’i bëjë gati valixhet për t’u larguar prej aty.
Deri tash, ishte futbollisti ai që e shihte veten më larg Parisit, ndërsa tash e tutje ndarja do të ndodhë me dëshirën e të dyja palëve.
PSG-ja ka vendosur përfundimisht të mos ia vazhdojë kontratën lojtarit, e cila do të skadojë në fund të qershorit.
Kështu, Messi do të shikojë të “shtegtojë” diku tjetër gjatë verës.
Ai i ka në “xhep” disa mundësi, të cilat po i shqyrton me kujdes.
Nëse dëshiron ta shikojë paranë, Messi e ka një ofertë stratosferike nga Arabia Saudite, ku klubi Al-Hilal është i gatshëm t’ia paguajë 350-400 milionë euro në vit.
E nëse dëshiron ta shikojë karrierën edhe pak, për të luajtur në nivele të larta, Messi i ka dyert e hapura për t’u rikthyer në Barcelonë, prej nga u largua dy vjet më parë si lojtar i lirë.
Natyrisht, ai mbetet një legjendë e klubit për atë që e ka dhënë dhe e ka bërë, prandaj edhe tifozët e Barçës në disa ndeshje e thirrën emrin e tij në minutën e 10-të, e cila asocion me numrin që e mbante në fanellë sa luajti tek “Blaugrana”, me të cilët fitoi gjithçka që është e mundshme.
Ditë më parë Leo qëndroi në kryeqytetin katalunas dhe darkoi me ish-shokët e skuadër, duke i zgjuar spekulimet e një rikthimi të mundshëm në Camp Nou.
E opsioni i tretë për Messin është përtej Atlantikut.
Përfaqësuesi argjentinas e ka mundësinë të transferohet në ligën amerikane – MLS, ku qe një kohë e pëlqen Inter Miami.
Thuhet se në orët e ardhshme babai i Messit, Jorge, do ta ketë një takim me Jorge Mas, pronar i klubit amerikan.
Sidoqoftë, kjo shihte si një mundësi më e vogël të ndodhë pasi Inter Miami nuk është i gatshëm të ofrojë shumë para për Messin dhe liga amerikane nuk është prej më të fortave.
Pra, nuk ka një arsye të fortë që Leo ta pranojë këtë ofertë.
Sidoqoftë, Messi mbetet lojtari më i përfolur i ditëve të fundit, mbi të gjitha pas “tërmetit” që ndodhi me të dhe PSG-në.
Tifozët e futbollit mezi presin ta njohin të ardhmen e Messit, të cilin sigurisht se duam ta shohim ende duke luajtur në nivele të larta – në futbollin evropian.