Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Emshir”, në kryeqytet numër i madh i qytetarëve mëngjesin e së premtes kanë pritur në radhë për të bërë testin rapid ose të shpejt për COVID.
Fadil Hasani tha se është duke pritur që nga ora 7:30 për të kryer testin rapid.
“Kam ardhur që nga ora 7:30 për të kryer testin rapid, dje e kam bërë testin privat nuk ma pranuan e erdha sot këtu”.
Kurse laboranti kryesor Sherif Makolli që po kryente këto testime në një prononcim për Ekonomia Online tha se gjithçka po shkon sipas planit dhe se vetëm gjatë së enjtes kanë kryer 330 testime.
“Testet rapide janë duke shkuar mirë, organizimi është mirë, por edhe kemi numër të madh të qytetarëve që po presin në radhë”.
“Vetëm dje janë kryer 330 teste, kurse kërkesat kanë qenë shumë të mëdha, po mundohemi të japim maksimumin tonë duke punuar deri në 8 orë vetëm të japim rezultatin”, tha Makolli.
Ai shtoi se punojnë nga ora 08:00 deri në 15:30 me pacientë me kapacitete të plota.
Përderisa që nga 4 gushti, Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka filluar me ofrim të shërbimeve të centralizuara për të infektuarit me Covid-19, duke shndërruar Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Emshir”, në Covid Qendër.