Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se përgjatë këtij viti, në mbarë Kosovën janë 1730 të burgosur.
“Aktualisht në institucionet korrektuese janë 1730 të burgosur, prej tyre 613 janë të paraburgosur, ndërsa 1117 janë të dënuar”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Në anën tjetër, ata kanë njoftuar edhe se që nga fillimi e deri në fund të këtij viti, në ambientet e burgjeve kanë vdekur tetë të burgosur, pa sqaruar rrethanat e vdekjes.
E falje nuk do të ketë për të burgosurit, për shkak se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vendosur të mos falë asnjë të burgosur.
Kjo pasi Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e kërkesave për falje është jofunksional, ngase i ka skaduar mandati.
Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se nga fillimi i vitit 2021, e deri më tani, 103 kërkesa për falje janë përcjellë për procedurë të mëtutjeshme në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
Nga Presidenca kanë thënë se “kërkesat për falje, të cilat pranohen nga Zyra e Presidentes, shqyrtohen nga ky komision, i cili është në themelim e sipër”.
“Pasi që të konstituohet dhe pas shqyrtimit të kërkesave, Komisioni i propozon presidentes faljen dhe jo të personave që kanë kërkuar falje presidenciale”, kanë thënë tuje nga Presidenca./Gazeta Enigma/