Tetë trofe dhe 300 ndeshje si trajner, Zekerija Ramadani rrëfen emocionet e karrierës

Tetë trofe dhe 300 ndeshje si trajner, Zekerija Ramadani rrëfen emocionet e karrierës

Zekerija Ramadani është një nga ata që bëjnë pjesë në brezin e ri të trajnerëve shqiptarë, por ndonëse me vetëm 45 vite mbi supe, ka një karrierë për t’u admiruar. Tekniku nga Shkupi do të ulet në pankinë për herë të 300-ë në ndeshjen që Gjilani do të luajë të dielën në transfertën ndaj Trepçës ’89, e vlefshme për javën e 31-të të Superligës së Kosovës.

Ramadani numëron plot 8 trofe të fituar si trajner, teksa i kontaktuar nga SuperSport, pranon se nuk ishte në dijeni të statistikave dhe emocionohet jo pak për një shifër të tillë, që shumë trajnerë e ëndërrojnë.

“Jam i befasuar për këtë shifër, pasi të them të drejtën nuk jam një ruajtës i mirë statistikash. Për këtë ju falënderoj juve për punën e mirë. Jam gjithashtu i emocionuar. Tani që e mendoj, 300 ndeshje është një shifër vërtetë e konsiderueshme, për një karrierë që më ka dhënë jo pak kënaqësi dhe plot 8 trofe”, u shpreh tekniku shkupjan.

Shkupi është shtëpia e tij, aty ku ka hedhur hapat e para si futbollist, por edhe ka nisur rrugëtimin si trajner më 1 korrik të 2014-ës. Atë sezon, Ramadani e etiketon si një nga më të veçantët në karrierë.

“Shkupi është shtëpia ime, pasi aty jam rritur dhe kam mësuar shumë. Nga 8 trofetë që kam fituar, do të veçoja pikërisht atë me Shkupin. Në sezonin 2014-2015 u shpallëm kampionë të Kategorisë së Parë dhe rikthyem skuadrën në Superligë. Nuk ishte një titull në Superiore, por ishte i veçantë. Ishte i pari në karrierën time si trajner dhe për më tepër, me skuadrën e zemrës”, deklaroi Ramadani.

Profesioni i trajnerit është padyshim i bukur, por edhe i vështirë. Tekniku 45-vjeçar rrëfen edhe momentin më special të karrierës së tij, por edhe ato më të vështirët.

“Në fakt jam pak i papërgatitur për të kujtuar këto momente. Më vjen në mendje ndeshja e fundit e sezonit 2018-2019 në Superligën e Kosovës. Drejtoja Feronikelin dhe luanim kundër Prishtinës së vendit të dytë. Në javën e fundit u vendos titulli kampion, që për fat ia dolëm ta fitojmë ne. Momentet para dhe pas asaj ndeshjeje, do t’i ruaj gjatë në memorie. Momente të vështira nuk di të veçoj, pasi një trajner vuan pas çdo ndeshjeje që nuk e fiton. Por më djegin disa eliminime të padrejta në Europë, si me Feronikelin, ashtu edhe me Prishtinën”, shprehet trajneri.

Zekerija Ramadani ka drejtuar dy herë në Superioren Shqiptare. Fillimisht Flamurtarin në vitin 2016 dhe më pas Egnatian në sezonin e kaluar. Tekniku pranon se e pret një tjetër mundësi për t’u rikthyer në Shqipëri, këtë herë me objektiva më të mëdha.

“Në Superioren Shqiptare kam qenë dy herë dhe do të pranoja me kënaqësi një ofertë të tretë. Kam kaluar shumë mirë dhe e ndjek rregullisht kampionatin atje. Këtë herë do të doja një sfidë me një skuadër që luan për titullin kampion. Kam dëshirë të fitoj edhe në Shqipëri”, u shpreh Ramadani.

E duke qenë e kujtimet nga Superiorja Shqiptare i ka ende të freskëta, trajneri 45-vjeçar nuk ngurron të bëjë edhe një krahasim të futbollit shqiptar, me atë në Kosovë, ku punon aktualisht.

“Superiorja në Shqipëri ka një nivel shumë më të lartë, pasi ka trajnerë shumë më të përgatitur, futbollistë më cilësorë, terrene shumë më të mira dhe një sërë kushtesh të tjera, si ndeshjet në orët e mbrëmjes, që e bëjnë edhe më të bukur futbollin. Megjithatë mund të them se Kosova është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Nëse vijohet me këto ritme e investohet më tepër në terrene, shumë shpejt futbolli në Kosovë do të arrijë nivelet e atij në Shqipëri dhe pse jo, edhe ta kalojë”, rrëfen tekniku shkupjan.

Verën e kaluar Ramadani mori drejtimin e Gjilanit me synimin për t’u shpallur kampion, por peripecitë rrugës ridimensionuan objektivat e klubit, që tani është në pozita të qeta për një vend në zonën europiane.

“Ne e nisëm me synimin për të fituar titullin, por largimi i drejtuesve na vuri në vështirësi të mëdha. Na u desh të luanim shumë muaj edhe pa u paguar. Në janar Florim Zuka u rikthye dhe mendoj se objektivi kryesor i Gjilanit, është të mbajë presidentin. Të gjithë jemi të zëvendësueshëm, por është shumë e rëndësishme që ai të vijojë të qëndrojë në krye të klubit”, thotë Zekerija Ramadani.

Ndonëse në Kosovë, tekniku shkupjan nuk lë pa ndjekur as Superligën e Maqedonisë së Veriut. Pas Shkëndijës e Shkupit, këtë sezon po tërheq vëmendjen një tjetër skuadër shqiptare, Struga, që është në rrugën drejt titullit të parë kampion në histori.

“E ndjek kampionatin në Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht që jam tifoz i Shkupit, por i dua të mirën edhe Strugës. Drejtohet nga dy vëllezër shumë korrektë, si në raportet e punës, ashtu edhe ato njerëzore, pasi i njoh nga afër. Nëse nuk fiton Shkupi, atëherë do të më pëlqente të fitonte Struga. Mendoj se i ka mundësitë për t’u afirmuar dhe ngritur edhe më shumë si skuadër”, shprehet tekniku.

300 ndeshje janë vërtetë shumë, megjithatë Ramadani sheh nga ajo e radhës, ndaj Trepçës ‘89. Ai nuk dëshiron të vendosë limite për të ardhmen, aq më tepër që moshën dhe sukseset i ka padyshim në favor.

“Nuk e kam menduar ndonjëherë se sa ndeshje mund të arrij, pasi puna e trajnerit nuk është asnjëherë e sigurt. Sigurisht që unë punoj për të qenë sa më gjatë në këtë detyrë dhe për të fituar sa më shumë. Megjithatë shpresoj të jem mirë me shëndet dhe të vijoj të bëj punën që di të bëj më mirë. Tani dua të shoh nga ndeshja e radhës, pasi djemtë po më presin për analizën. Do të ndaj me ta lajmin, për t’u dhënë një arsye më shumë për të luftuar për fitore ndaj Trepçës ‘89”, mbyll rrëfimin e tij Zekerija Ramadani.

Related Articles