Lufta për titullin kampion në Superligën e Kosovës në futboll sa shkon e bëhet më e nxehtë, shkruan Gazeta Enigma.
Klubi Futbollistik “Ballkani” aktualisht është duke kryesuar renditjen tabelare.
“Enigma” e ka kontaktuar njërin ndër mbrojtësit e djathtë më të mirë viteve të fundit, Armend Thaqin.
Thaqi ka folur për ecurinë e skuadrës “portokalli” dhe atmosferën që po mbretëron aty.
“Vet ndeshjet e fituara tregojnë për formën dhe ecurinë e skuadrës. Të gjithë futbollistët jemi të vetëdijshëm që kjo është vetëm fillimi dhe duhet shumë më shumë punë e angazhim për ta mbajtur këtë formë dhe këtë pozitë”, tha Thaqi.
Mbrojtësi nga i djathtë ka theksuar se atmosfera në skuadrën suharekase është fantastike.
“Atmosfera në klub është fantastike sepse të gjithë po e kryejmë punën që na takon dhe për çka kemi përgjegjësi”, shtoi më tutje Thaqi.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është në luftë në dy fronte, në Kupën e Kosovës ata do përballen kundër Prishtinës. Mbrojtësi nga Obiliqi ka treguar se objektivat e klubit nuk duhet të fshehën asnjëherë.
“Asnjëherë nuk duhet të fshihemi nga objektivat sepse për ato luftojmë çdo ndeshje dhe synim është që të vazhdojmë me ecurinë që kemi filluar dhe po vazhduam kështu atëherë dihet se çka arrijmë në fund. Do luftojmë që së paku të arrijmë në finale të Kupës dhe të jemi sa më lartë në tabelë në fund”, vazhdoi Thaqi.
Për fund futbollisti 29-vjeçar ka edhe një mesazh për të gjithë përkrahësit e Ballkanit.
“Në futboll s’ka premtime se do t’u sjellim trofe, sepse fusha e gjelbër premtimin e vetëm që e ka është angazhimi dhe atë do ta japim në maksimum për t’i gëzuar familjet tona dhe të gjithë qytetin e Suharekës”, përfundoi Armend Thaqi.
Ballkani të dielën e pret një test mjaftë i vështirë pasi në shtëpi e presin skuadrën e Llapit e cila po kalon në formë fantastike.
/GAZETA ENIGMA/