Kryetrajneri i Dritës, Arsim Thaqi ka folur në një konferencë për media një ditë para derbit të madh të futbollit kosovar kundër Gjilanit.
Drita dhe Gjilani do të ndeshen të dielën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin me bari sintetik, në kuadër të javës së 25-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Thaqi tha se përkundër angazhimit të madh të lojtarëve të tij vetëm pak ditë më parë në ndeshjen kundër Ballkanit, ata janë të gatshëm 100 për qind për derbin kundër rivalit të përbetuar lokal.
Ai shprehu keqardhje që tifozët nuk do të jenë prezent as në këtë duel për shkak të sigurisë dhe kushteve që plotëson stadiumi ndihmës në Gjilan.
“Edhe pas angazhimit të lojtarëve në Suharekë ndaj rivalit direkt për titull lojtarët janë në gjendje të mirë. Kemi pasur kohë të shkurtër për t’u përgatitur, por jemi adaptuar me mënyrën e lojëve të shpeshta brenda javës. Lojtarët janë të gatshëm 100 për qind kundër Gjilanit në derbin lokal. Lojtarët e dinë më së miri sa emocionale është kjo sfidë. Pse tjetër për keqardhje është mosprezenca e tifozëve që na kanë përkrahur çdo ndeshje edhe normalisht për ne do të ishte privilegj i madh t’i kishim në stadium për këtë derbi. Përkundër përpjekjeve të klubit, ata nuk do të jenë prezent” – ka thënë Thaqi në konferencë për media.
Drita ka 48 pikë në pozitën e dytë, vetëm dy më pak se Ballkani lider. Gjilani në anën tjetër zë vendin e tretë me 39 pikë.