Media prestigjioze britanike “The Guardian” ka raportuar për rastin e Nikola Sanduloviq dhe lirimin e tij nga paraburgimi.
Në artikullin e publikuar kushtuar Sanduloviq shkruhet se ai ka thënë se ishte në një provë të tmerrshme në të cilën shërbimet sekrete të Beogradit e rrahën, torturuan, poshtëruan dhe e kërcënuan se do ta vrisnin atë dhe familjen e tij.
Ndër tjera theksohet se Nikola Sanduloviq, lideri i Partisë Republikane Serbe, tha se ai u mor nga shtëpia e tij 10 ditë më parë dhe iu nënshtrua abuzimit të dhunshëm për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi inteligjent. Për pasojë, thonë avokatët e tij, ai mbetet i paralizuar në anën e majtë dhe po pëson dëmtime nervore.
“Duke folur për herë të parë që kur u lirua, Sanduloviq tha në një deklaratë të mërkurën: ‘Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe jetën”.
“E gjithë kjo për shkak të shprehjes sime politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari”,thuhet të ketë thënë Sanduloviq, sipas The Guardian.
Më tutje shtohet se Sanduloviq është akuzuar për shkelje të ligjeve që ndalojnë nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
“Akuzat u ngritën pasi ai kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1998 dhe 1999. Ai është kritikuar ashpër nga mediat pro-qeveritare për ripostimin e një videoje të një vizite që bëri në varrin e Ademit Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga policia serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij”.
“Sanduloviq tha se pas sulmit të supozuar, shërbimi sekret e mori atë në shtëpi. Menjëherë pas, tha ai, ka mbërritur policia me urdhër për ta çuar në burg. Në vend të kësaj, tha ai, ai u dërgua në qendrën e urgjencës pasi ‘gjendja e tij ishte kritike’”, thuhet në artikullin e The Guardian.
The Guardian ka raportuar edhe për Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë (BIA), për të cilën thotë se e ka pranuar marrjen në pyetje të Sanduloviq-it, por, në një deklaratë për Financial Times, citohen të kenë thënë se politikani “nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave”.
“BIA vetëm donte të “zbardhte kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sandulović-it, të cilat prokurori kompetent i klasifikoi si vepër penale… duke nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”. Shërbimi mohoi raportet se agjentët e tij e kishin rrahur atë, duke thënë se akuzat kishin për qëllim destabilizimin e vendit”, shkruan The Guardian.