Lamine Yamal aktualisht është njëri ndër futbollistët më të përfolur dhe më të njohur të momentit.
Duket se krejt fama që posedon ylli 17-vjeçar ka ndikuar edhe në jetën e familjarëve të tij.
Së fundmi raportohet se babai i senzacionit të “Euro 2024”, Mounir Nasraoui, është therur me thikë, në një parking në Mataro, në veri të Barcelonës.
Ai është dërguar në spitalin Can Ruti, në Badalona.
Nasraoui thuhet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me rastin autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet.
17-vjeçari Yamal, të shtunën pritet ta nisë edicionin e ri në La Liga, kundër Valencisë nën drejtimin e trajnerit të ri, Hansi Flick, por që tani një situatë e tillë padyshim se mund të ndikojë në gjendjen emocionale të tij.
Lamine Yamal, shkëlqeu së fundmi në Kampionatin Evropian “EURO 2024”, ku me kombëtaren spanjolle u shpall kampion. /Gazeta Enigma