Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit D.M, avokatit Florent Latifaj është shtyrë seanca e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në lidhje me mungesën e avokatit Latifaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli tha se i njëjti ka njoftuar gjykatën dhe ka kërkuar që të shtyhet seanca pasi që në të njëjtën kohë ka një seancë tjetër në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana seanca u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 19 maj të këtij viti.
Ndryshe, për të akuzuarin D.M ishte veçuar procedura, kurse ndaj të akuzuarve Xh. dhe D.M është shpallur aktgjykimi pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorinë.
Xh. dhe D.M me 24 maj 2021, janë shpallur fajtorë për veprën penale të sulmit ndaj Afrim Mjekiqit, dhe të njëjtit janë dënuar me burgim prej gjashtë muajsh, secili veç e veç.
Por, ky dënim me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 3,500 euro gjobë për secilin nga ta.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 5 maj 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, D. M po akuzohet se derisa ishte duke u zhvilluar sulmi nga dy të akuzuarit tjerë Xh. dhe D.M me dashje që ta privojë nga jeta xhaxhain e tij e ka sulmuar A.M nga mbrapa me thikë, me të cilën dy herë e kishte goditur në pjesën e barkut dhe gjoksit.
Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par 1, pika 1.3 lidhur me nenin 28 si dhe veprën penale “ Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par 1 të KPRK-së.