Grupi i njohur i përkrahësve të Kombëtares, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka reaguar sërish sot, duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për pengesa të vazhdueshme ndaj tyre, këtë herë në ndeshjen kundër Letonisë në Riga, që përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.
Në një komunikatë të publikuar, TKZ pretendojnë se janë përballur me masa të paprecedenta sigurie, për të cilat thonë se janë ndërmarrë me urdhër të FSHF-së.
Sipas tyre, kontrolli i ashpër është bërë i ditur edhe nga vetë sigurimi: “Kemi urdhër nga federata juaj t’iu kontrollojmë hollësisht”, citojnë ata.
Grupi pohon se janë ndaluar të fusin brenda banderola e parulla me emrin e grupit, pavarësisht se ato nuk përmbanin ndonjë mesazh provokues: “Na ndaluan të gjitha banderolat dhe parullat që kishim me vete, edhe pse përmbanin vetëm shkrimet e zakonshme ‘Tifozat Kuq e Zi’ dhe ‘TKZ on Tour’. Ato me mesazhe, sigurisht që i futëm brenda.”.
TKZ gjithashtu përmendin një tentativë të mëhershme për t’i lënë pa praninë e tyre në stadium: “E para erdhi kur nuk na ndanë fare biletat që, sipas rregullores, u takojnë tifozëve vizitorë. Donin t’i linin karriget bosh për të thënë se ‘s’kishim tifozë’.”.
Pavarësisht pengesave, TKZ thonë se nuk do të ndalen dhe lëshojnë një mesazh sfidues: “E dimë mirë me kë kemi punë. Por le ta mbajnë mend: koha mund të jetë e maskarenjve, po Atdheu mbetet i shqiptarëve. Shihemi përsëri së shpejti.”.