Grupimi më i madh i tifozërisë shqiptare që mbështet skuadrën Kombëtare të futbollit, i njohur me emrin “Tifozat Kuq e Zi”, feston ditën e sotme 19-vjetorin e themelimit.
Padyshim një datë me shumë domethënie, teksa nëpërmjet një video nga qyteti i Krujës, në rrjetet sociale TKZ thekson se qëllimi i tyre mbetet bashkimi kombëtar.
“Sot, Tifozat Kuq e Zi mbushin 19 vite nga themelimi me përkulje dhe falënderime çdo anëtari dhe mbështetësi në këtë rrugëtim fisnik, ku qëllimi i vetëm ishte dhe vazhdon të jetë t’i mbledhim rreth vetës të gjithë tifozët shqiptarë dhe unifikim drejt idealit tonë të përbashkët, të trashëguar nga të parët tanë e që asht bashkimi kombëtar. Andaj, ju ftojmë të gjithë ju të na bashkëngjitni në ketë rrugëtim. Më poshtë gjeni një video të shkurtër me rastin e 19 vjetorit të themelimit, aktivitet i cili u mbajt në Krujën tonë të bukur, në Krujën e Skënderbeut. O sa mirë me qenë Shqiptar!”, shkruhet në postimin e grupacionit më të madh të tifozerisë të Kombëtares së Shqipërisë.