I kanë mjaftuar vetëm dy ndeshje në Serie A për t’u shndërruar në idhull të tifozëve të Napolit. Futbollisti i panjohur që iu bashkua Napolit këtë verë, gjeorgjiani Khvicha Kvaratskhelia, ka shpërthyer në kampionatin italian. Në dy fitoret e Napolit në ndeshjet e para, sulmuesi i krahut ka shënuar tri gola dhe ka bërë një asistim.
Tifozët e Napolit tashmë nuk po brengosen si t’ia shqiptojnë emrin Kvaratskhelias. Ai tashmë ka fituar një nofkë të re. Tashmë po njihet me nofkën “Kvaradona”, ngjashëm me emrin e ikonës së Napolit, Maradona. Me paraqitjet që kishte në dy ndeshjet e para, gjeorgjiani ka bërë që tifozët e Napolit ta ëndërrojnë titullin e kampionit të Italisë, ka shkruar “The Guardian” të hënën.
“Do ta gjejmë një nofkë të përshtatshme për të. Do të sajojmë diçka. Ndoshta mund ta quajmë edhe Zizi”, kishte thënë presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, kur klubi i tij zyrtarizoi transferimin e Kvaratskhelias në muajin prill. “Nuk shqetësohem për emrin e tij”.
21-vjeçari iu bashkua Napolit nga Dinamo Batumi i Gjeorgjisë për 15 milionë euro dhe me ekipin nga Serie A firmosi kontratë deri në verën e vitit 2027.
“Kvaratskhelia lirisht mund të them se është një zbulim i madh i këtij edicioni, pasi i kanë mjaftuar vetëm dy ndeshje për të dëshmuar cilësitë e tij”, ka thënë trajneri i Napolit, Luciano Spalletti. “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, pasi mund të gjuajë me dy këmbët. Ai ende ndien shumë presion në këtë klub të ri. Ai e di që duhet të argëtojë një publik kërkues si ai i Napolit. Këta gola do ta ndihmojnë për të hequr një pjesë të këtij presioni”.
Në të vërtetë Kvaratskhelia te Napoli është transferuar për ta zëvendësuar Lorenzo Insignen, që ishte kapiten i ekipit dhe u largua si lojtar i lirë për ta vazhduar karrierën në MLS të SHBA-së.
Në fillim kishte dyshime të mëdha për shkak se Kvaratskhelia ishte tërësisht lojtar i panjohur. I vetmi që besonte në shpërthimin e tij te Napoli ishte bashkëlojtari i tij te Përfaqësuesja e Gjeorgjisë, Zuriko Davitashvili që e përshkroi si “Messi gjeorgjian”. Në fillim të këtij viti Kvaratskhelia u rikthye te Dinamo Batumi nga Rubin Kazani i Rusisë. Në 11 ndeshje për Dinamon ai pati tetë gola dhe dy asistime. Kvaratskhelia u rikthye te Dinamo Batumi si lojtar i lirë për shkak se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, UEFA mori vendim që lojtarët e huaj në kampionatet e këtyre shteteve mund t’i suspendonin kontratat e tyre deri më 30 qershor. Më 24 mars Rubin Kazani njoftoi se kishte suspenduar kontratën e tij, ndërsa në të njëjtën ditë Kvaratskhelia iu bashkua Dinamo Batumit.
“Shifra kampionësh, te Napoli po lind një yll i ri”, ka shkruar të hënën e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport”.
Kvaratskhelia si futbollist është zhvilluar në akademinë e Dinamo Tbilisit, ku në vitin 2017 debutoi me ekipin e parë. Një vit më vonë ai u transferua te Rustavi ku luajti vetëm një edicion, përpara se të huazohej në Rusi te Lokomotiva e Moskës. Në verën e vitit 2019, Rubin Kazani e bleu kartonin e tij nga Rustavi. Prej vitit 2019 ai është pjesë e Përfaqësueses së Gjeorgjisë, ku deri më tani ka shënuar tetë gola në 17 paraqitje.
“Pozita ime e preferuar është sulmues i krahut të majtë, por jam në dispozicion të trajnerit të luaj në çfarëdo pozite në fushë. Gradualisht po përshtatem në sistemin e Napolit dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Po e mësoj gjuhën, por e rëndësishme është për mua ta ndihmoj ekipin për t’i fituar ndeshjet”, është shprehur Kvaratskhelia. “Jam i lumtur me startin tim dhe shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm deri në fund të sezonit”.
Para se t’i bashkohej Napolit, Kvaratskhelia kishte arritur marrëveshje me Juventusin. Megjithatë, kalimi i tij te Juventusi dështoi pas largimit të drejtorit sportiv, Fabio Paratici.
“Ne parimisht kishim marrëveshje me Juventusin, por kjo marrëveshje dështoi për shkak se Paratici u largua. Po të kishte qëndruar Paratici te Juventusi, atëherë Kvicha do të ishte lojtar i ekipit nga Torino”, ka njoftuar agjenti i lojtarit, Mamuka Jugeli.