Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e diel, 24 maj, Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive përgjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë të cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë.
Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë, në çdo rrethanë, të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.
Ambasadorit rus iu dorëzua një notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.
Kujtojmë se sulmet ndodhen mbrëmjen e së shtunës, 23 maj, duke goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.
Në një intervistë, Filo bëri me dije se situata ka qenë e vështirë, pasi sulmi ka zgjatur për disa orë dhe është shoqëruar me përdorim të dronëve dhe raketave të ndryshme.
“Sulmi ka filluar në orën 22:00 të mbrëmjes së kaluar dhe ka zgjatur deri në orën 06:30 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta që ka ndodhur qëkur kemi hapur ambasadën vitin e kaluar me dronë dhe raketa nga më të ndryshmet, Iskander, Zirkon… deri tek Oreshnik. Ka qenë një sulm masiv që ka vazhduar për orë të tëra.”, u shpreh ambasadori.
Filo tha se vetëm fasada ka pësuar dëmtime, por ndërtesa është akoma e banueshme. Ai shtoi gjithashtu se ka pasur kontakte dhe ka marrë mbështetje nga institucionet ukrainase, ndërsa thekson se trupi diplomatik do të vijojë të qëndrojë në Kiev.
“Më kanë marrë në telefon, janë interesuar dhe më kanë dhënë mbështetje. Kanë shprehur solidaritetin dhe falenderimin që ne jemi këtu. Dhe ne u japim atë mesazhin që i gjithë trupi diplomatik do të qëndrojë këtu për t’i dhënë mesazhin edhe Ukrainës se ne jemi me ta dhe do të qëndrojmë me ta sa të jetë e nevojshme”, tha ai.
