TKZ fton tifozët për bojkot të ndeshjes së Kombëtares Kuqezi ndaj Letonisë

TKZ fton tifozët për bojkot të ndeshjes së Kombëtares Kuqezi ndaj Letonisë

Tifogrupi “Tifozat Kuq e Zi”, ka ftuar futbolldashësit të bojkotojnë ndeshjen e Kombëtares Kuqezi ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikimet në Evropian, e cila luhet më 9 shtator nga 20:45 në “Air Albania”.

Ky tifogrup po pretendon se Federata Shqiptare e Futbollit (FShF), nga frika se mos u mbeten ulëset bosh, ka nxjerrë në shitje biletat ndaj Letonisë në Tiranë me çmime të ulëta.

TKZ thotë se i njeh mirë këto lëvizje të FShF-së teksa shprehet se është kjo ndeshja e katërt radhazi ku federata i përjashton ata “haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht”.

“Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor”, thotë TKZ në një reagim publik në faqen e tyre në Facebook.

Tifogrupi TKZ pretendon se përjashtimi i tyre nuk ka të bëjë me sjellje, por me qëndrimin e tyre, pasi thonë se guxuan t’i thonë JO bashkëorganizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë, “në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses”.

“Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Evropës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta, pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa. Sot, kur padrejtësia është e hapur, ata zgjedhin të heshtin dhe t’i shërbejnë qorrazi një federate që përjashton popullin nga Kombëtarja e vet”.

“Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të #mosSHKONI ndaj Letonisë”.

“Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje. Le t’i mbushë FShF tribunat me modele që marrin bileta me një SMS. Le të kënaqet me versionin ‘VIP’ të Kombëtares, ku bukuria vlen më shumë se zëri, dhe marketingu ka më shumë peshë se përkushtimi”, tha Tifogrupi “Tifozat Kuq e Zi”.

TKZ përmbylli postimin me shkrimin: “Kombëtarja është e popullit. Jo e sponsorëve. Jo e klienteles. Jo e zëdhënësve të heshtur”. 

Related Articles