Më 16 qershor, Ballkani njoftoi për angazhimin e lojtarit ofensiv, Bleart Tolaj. 23-vjeçari iu bashkua Ballkanit nga Malisheva, tek e cila skuadër shfaqi vlera edicionin e kaluar. Te skuadra kampione natyrisht gjeti konkurrencë të madhe për vend në përbërjen bazë. Në ndeshjet e para të edicionit u aktivizua si zëvendësues e në disa qëndroi në stol. Tolaj megjithatë vazhdoi punën e madhe dhe priti rastin e tij.
Rasti i erdhi të enjten mbrëma dhe sulmuesi i krahut e shfrytëzoi maksimalisht. Tolaj shënoi dy gola në fitoren 4:1 ndaj BATE Borisovit, në ndeshjen e parë të plejofit në Ligën e Konferencës. Për shkak të dy mungesave, Tolaj u paraqit në përbërjen bazë të Ballkanit. Dhe arsyetoi plotësisht besimin e trajnerit Ilir Daja.
golat e parë të Tolajt me Ballkanin. Ndaj Lincolnit kishte një asistim, ndërsa ndaj BATE-s bjelloruse bëri ngritjen e madhe duke shënuar dy gola.
“Fitorja ndaj BATE-s është shumë e madhe, duke pasur parasysh cilësinë e kundërshtarit dhe rëndësinë e ndeshjes”, ka thënë Tolaj të premten për Kohën.
Ai shënoi për 2:1 në minutën e 57-të dhe për 3:1 në minutën e 66-të. Golin e parë për Ballkanin e realizoi Bajram Jashanica, ndërsa në fund shënoi edhe Armend Thaqi.
“Sa i përket paraqitjes individuale, mund të them se është ndeshja më e mirë e karrierës sime. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve të mija, por i sukseseve të përbashkëta me skuadrën”, ka thënë futbollisti nga Deçani.
Tolaj për një kohë është zhvilluar te Hajduku i Splitit. Në vitin 2021 u kthye në Kosovë dhe firmosi për Prishtinën. Verën e kaluar u transferua te Malisheva. Te Malisheva realizoi shtatë gola e tri asistime në 33 paraqitje kampionale. Paraqitjet e Tolajt u vlerësuan nga Ballkani, që i ofroi kontratë trevjeçare.
Ballkani tani përgatitet për ndeshjen e kthimit. Tolaj natyrisht e pret sërish rastin. Ndeshja e kthimit me BATE Borisovin zhvillohet të enjten e ardhshme në Hungari. UEFA nuk lejon klubet bjelloruse të luajnë në vendin e dyte për shkak të përkrahjes që Bjellorusia i dha Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
“Në Hungari do të shkojmë me këmbë në tokë. Nuk do ta nënvlerësojmë kundërshtarin, por do të angazhohemi që ta përfundojmë punën si duhet. Synimi është i qartë – kalimi në fazën e grupeve”, ka theksuar Tolaj.
Ballkani vjet shkroi histori duke u paraqitur në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Tani është fare pranë që ta përsërisë këtë sukses. Asnjë skuadër tjetër kosovare nuk është paraqitur në fazën grupore në kupat evropiane.
Skuadra suharekase ka synime të mëdha edhe sa i takon garave vendore. Tolaj është i vetëdijshëm që pritjet janë të mëdha nga Ballkani.
“Një ekip si Ballkani çdo vit futet për të luftuar në çdo garë. Kështu që çdo tjetër pos titullit të kampionit do të ishte mossukses për ne, duke marrë parasysh kualitetin e lojtarëve, stafin e mrekullueshëm të trajnerëve dhe organizimin e klubit që është fantastik”, ka thënë Tolaj.
Nëse vazhdon me formë të njëjtë si ndaj BATE Borisovit, Tolaj do të jetë prej lojtarëve të rëndësishëm në kapitullin tjetër të jashtëzakonshëm të Ballkanit të Suharekës.