Tolaj: Mund të shfaqen variante të reja të COVID-19

Tolaj: Mund të shfaqen variante të reja të COVID-19

Infektologu Ilir Tolaj, ka thënë se është evidente që vaksinim masiv nuk ka.

Tutje, ai tha se në ditë do të duhej të vaksinoheshin mbi 30 mijë persona e jo vetëm 4 000 sa janë duke u vaksinuar.

“Është evidente që vaksina mjaftueshëm nuk ka dhe  furnizimi me vaksina ende nuk është bërë në nivelin në të cilin duhet që mandej të jetë i mundur që të bëhet një vaksinim masiv. Për këtë arsye besoj që nuk ka vaksinim masiv. Vetë terminologjia e vaksinimit masiv nënkupton një vaksinim në të cilin do të përfshihet një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në shumë pika të vaksinimit duke përmbushur një numër i cili do të tejkalonte 30 mijë të vaksinuar në ditë. Ndërsa tash po shohim se janë 4000 vaksinime në ditë”, ka thënë Tolaj.

Tolaj theksoi se variante ka pasur që nga fillimi i pandemisë dhe tashmë është prezent edhe varianti Delta.

Sipas tij, nëse vazhdon që vaksinimi të jetë i mangët, atëherë mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen, raporton EO.

“Variante ka pasur që nga fillimi i disa prej tyre janë bërë mbizotërues në shkaktimin e infeksioneve dhe tash së fundi është edhe varianti Delta. Me siguri që nëse pandemia do të vazhdojë dhe nëse vaksinimi do të jetë i mangët dhe numri i njerëzve të cilët e kanë kaluar infeksionin qoftë në mënyrë të natyrshme ose që kanë krijuar imunitet përmes vaksinimit është më i vogël atëherë edhe mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen”, ka shtuar infektologu Tolaj.

“Variantet e reja të cilat eventualisht mund të shfaqen mund edhe të vijnë në Kosovë, por nuk mund të pres që këtu do të ndodhë një valë e re e infeksionit çfarë e kemi pasur më herët. Për të ndërprerë ecurinë e pandemisë është evidente çdo kund në botë që duhet të ekzistojë një komunitet kolektiv i popullatës. Ai imunitet mund të krijohet në dy mënyra duke e kaluar infeksionin  në mënyrë të natyrshme ose duke u vaksinuar”.

Related Articles