Trajneri më i trofeshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani, të mërkurën është emëruar në postin e përzgjedhësit të Përfaqësueses U21 të Kosovës. Kjo do të jetë hera e parë që Tovërlani drejton ekip përfaqësues të Kosovës. Koha e ka kontaktuar Tovërlanin të enjten. 55-vjeçari nuk ka dashur të flasë për planet dhe synimet që ka me grupmoshën U21 të “Dardanëve”, por ka premtuar se do ta bëjë më të mirën për vendin e tij të lindjes.
“Nuk dua të flas shumë, por e di që kam për ta bërë më të mirën për vendim tim. Nuk dua të flas më shumë, pasi mendoj që është ende herët”, u shpreh Tovërlani.
Vendimin që trajneri Tovërlani ta marrë drejtimin e shpresave e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen që e ka mbajtur të mërkurën, e ku është diskutuar edhe për shumë çështje të tjera.
“KE shqyrtoi ecurinë e ekipeve kombëtare dhe në këtë drejtim mori vendim që për përzgjedhës të Kombëtares U21 ta emërojë futbollistin e spikatur dhe trajnerin më të trofeshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani. Po ashtu, KE mori vendim që të bëhet riorganizimi i trajnerëve për ekipet kombëtare të femrave për të gjitha grupmoshat”, ka shkruar në njoftimin e FFK-së.
Toverlani në këtë post do ta zëvendësojë të shkarkuarin Michael Nees. Gjermani Nees u shkarkua nga KE i FFK-së për shkak të rezultateve jo të mira në shkurt të vitit 2022. Në fakt, në ndeshjet e fundit “Dardanët” e rinj i ka drejtuar koordinatori i ekipeve përfaqësuese, Albert Bunjaki, duke u ushtruar edhe detyrën e trajnerit, në mungesë të përzgjedhësit. Që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016, Kosova U21 në ndeshjet zyrtare kualifikuese për Evropian dhe Botëror është drejtuar nga trajneri Rafet Prekazi, të cilit FFK-ja nuk ia vazhdoi kontratën që i skadoi në fund të vitit 2020. Në fakt, Prekazi e ka drejtuar Kosovën U21 për shumë vjet dhe pati rezultate. Në vend të tij u emërua Michael Nees, që më pas u shkarkua.
Në kualifikimet e fundit për Kampionatin Evropian të vitit 2023, Kosova U21 përfundoi në vendin e pestë me 12 pikë të mbledhura, duke i lënë pas Shqipërinë dhe Andorrën. Arriti tri fitore, po aq barazime dhe pësoi katër humbje. “Dardanët” ishin pjesë e grupit G, ku Anglia zuri vendin e parë. Grupi përbëhej edhe nga Çekia e Sllovenia. Përzgjedhësi i ri i Kosovës U21, Tovërlani, është trajneri më i trofeshëm në futbollin kosovar. Ka fituar tre tituj të kampionit me skuadrën e Prishtinës në vitet (2008, 2009 dhe 2013). Me Prishtinën e ka fituar edhe Kupën e Kosovës, kurse ka arritur të shpallet kampion edhe me Feronikelin në vitin 2016. Tovërlani ishte i papunë prej muajit tetor të vitit 2020, kur u largua nga skuadra e Feronikelit.
Përveç Prishtinës dhe Feronikelit, Tovërlani ka qenë trajner edhe i skuadrës së Ferizajt dhe Trepçës ‘89.