Trajneri aktual i Manchester Unitedit, Ralf Rangnick, thuajse ka konfirmuar se Paul Pogba do të largohet pas përfundimit të sezonit.
Mesfushori francez nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur në pjesën e mbetur të sezonit, pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e fundit ndaj Liverpoolit.
“Pogba duket se e ka përfunduar sezonin. Nuk do të jetë në gjendje të luajë shkaku i lëndimit. Atij i nevojiten disa javë për rikuperim dhe vështirë se do të mund ta ndihmojë skuadrën”, tha fillimit Rangnick.
Tutje, Rangnick tha se beson se për 29-vjeçarin ndeshja ndaj Liverpoolit ishte e fundit për të me fanellën e “Djajëve të Kuq”.
“Po ashtu, besoj se Pogba ka luajtur ndeshjen e fundit me Unitedin”, tha trajneri i Manchester Unitedit.
Kujtojmë se kontrata e Pogbas me klubin anglez skadon më 30 qershor të këtij viti. Kjo nënkupton se ai mund të largohet nga “Old Trafford” si lojtar i lirë gjatë afatit kalimtar të verës.
Më herët është raportuar se Paris Saint-Germaini ka arritur marrëveshje me Pogban, teksa ai mbetet i lidhur edhe me një rikthim te Juventusi.