Trajneri i Reimsit për Arbër Zenelin: Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën, që mund të dallohet në fushë

Trajneri i Reimsit për Arbër Zenelin: Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën, që mund të dallohet në fushë

Arbër Zeneli ishte për herë të parë pas kthimit nga lëndimi titullar te skuadra e Reimsit, që mposhti të mërkurën mbrëma kampionin e Francës, Lillen (2:1). Zeneli luajti deri në minutë e 80-të, pavarësisht formës fizike ende të papërsosur. Por, futbollisti kosovar është vlerë e madhe për Reimsin kur është në fushë. Këtë e dëshmoi edhe të mërkurën. Zeneli ishte i përfshirë në golin e parë të realizuar nga Reimsi në minutën e 32-të. Ai harkoi, ndërsa topin e kthyer nga portieri në gol e shndërroi Marshall Munetsi. Trajneri i Reimsit, Oscar Garcia, ka fjalë të mëdha për Zenelin, i cili sipas tij mund ta bëjë dallimin.

“Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën, që mund të dallohet në fushë. Në sulm, ai bën shumë gjëra dhe të gjitha gjërat shumë mirë. Ne punojmë me të në pjesën kur ne e kemi topin ta kemi ndihmën e tij. Por për ne në këtë moment nuk është gati fizikisht t’i bëjë të dyja gjërat, pra të jetë si në fazën e sulmit ashtu edhe të mbrojtjes. Pra, ne e kemi lënë të lirë sepse e dimë që me topin është shumë i rrezikshëm”, tha Garcia të mërkurën, raporton sajti “ouest-france.fr”.

Zeneli që në minutën e dytë u shfaq i rrezikshëm ndaj Lillet. Ai krijoi një rast shënimi. Në minutën e 54-të, Zeneli qëlloi shtyllën. Pasi u lirua nga një futbollist, gjuajti, por shtylla ia mohoi golin. Në fakt, Zeneli si armë të fortë e ka lojën një kundër një. Këtë e thotë edhe trajneri Garcia.

“Një kundër një, ai shpejt del në rast për gol. Ka edhe një gjuajtje shumë të mirë. E pamë edhe në ndeshjen kundër Lillet. Është një lojtar që kur ka topin në këmbë, është shumë i motivuar dhe shumë i lëvizshëm. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, ka theksuar trajneri Garcia.

Zeneli i ka munguar për një kohë të gjatë Reimsit për shkak të këputjes së ligamentit kryqëzor. Por kthimi i tij në fushë i ka gëzuar te klubi elitar i Francës. Futbollisti i krahut të majtë, në fakt, u kthye në muajin shkurt pas pauzës së gjatë që e pati. Kthimi i tij ishte i fuqishëm. Luajti tri ndeshje dhe në të tria kontribuoi me nga një asistim. U lëndua sërish për t’i munguar Reimsit për tri ndeshje të tjera. Shkaku i lëndimit i mungoi edhe Kosovës në ndeshjet miqësore të muajit të kaluar. U kthye më datën 17 të këtij muaji, ndërsa luajti ndeshjen e dytë ndaj Lillet pas lëndimit të dytë. Sulmuesi 27-vjeçar iu bashkua Reimsit në janarin e vitit 2019 nga skuadra holandeze, Heerenveen. Ai ka kontratë deri në qershor të vitit 2023, por periudha te klubi francez ka qenë e vështirë me lëndime për Zenelin. Zeneli karrierë ka bërë edhe tek Elfsborgu i Suedisë.

Pjesë e Reimsit është edhe Valon Berisha. Berisha ndaj Lillet qëndroi në stol. Te Lille u paraqit edhe Edon Zhegrova. Të tre futbollistët janë pjesë e rëndësishme e Kosovës.

Related Articles