Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një rrahje mes disa personave në Veternik të Prishtinës, që më pas ka eskaluar në gjuajtje me armë. Si pasojë, tre persona janë plagosur.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i tha Gazetës Express se ata janë pranuar në Emergjencë dhe se gjendja e tyre është stabile.
“Po i kemi pranuar në Emergjencë. Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe gjendja e tyre është stabile. Pasi të përfundojnë konsultimet e nevojshme, do të lirohen për në shtëpi”, tha ai.
Lajmin për plagosjen e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 06:30, është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit.”
Ahmeti ka thënë se janë ndërmarrë veprime operativo-hetimore për identifikimin e të dyshuarve.
“Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”