Presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se nuk do të mbrojë vendet e NATO-s nëse ato nuk kontribuojnë mjaftueshëm për shpenzimet e mbrojtjes.
Gjatë një deklarate të bërë në Zyrën Ovale, Trump tha: “Nëse nuk paguajnë, nuk do t’i mbroj. Është sens i përbashkët, apo jo?”
Trump shtoi se kjo ka qenë pozita e tij që nga koha kur ai ishte në detyrë si president (2017-2021). Ai e theksoi se përpjekjet e tij kishin nxitur vendet e tjera të aleancës të shpenzonin më shumë, por për të kjo ende nuk është e mjaftueshme. “Ata duhet të paguajnë më shumë,” tha ai.
Deklaratat e Trumpit kanë shkaktuar shqetësime në Evropë dhe Azi, ku shumë liderë janë të shqetësuar për mundësinë e humbjes së mbështetjes së SHBA-së, pas tensioneve të mëparshme me liderët si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ai rus Vladimir Putin, raporton Reuters.
Liderët evropianë kanë konfirmuar se do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Evropës është thelbësore për aleancën dhe se vendet evropiane duhet të kontribuojnë më shumë në mbrojtje.
Në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se ai i konsideron vendet e NATO-s miq, por dyshon nëse ato do të ndihmonin SHBA-në në një krizë. “Ato do të na mbrojnë? Unë nuk jam aq i sigurt,” tha ai.
Përgjigje ndaj këtyre komenteve erdhi nga Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili theksoi se vendet evropiane ishin atje për SHBA-në gjatë luftës në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit. Ai shtoi se Evropa është aleate besnike e SHBA-së.