Trump refuzon përgjigjen e Iranit ndaj propozimit për paqe

Trump refuzon përgjigjen e Iranit ndaj propozimit për paqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e refuzoi me zemërim përgjigjen e Iranit ndaj një propozimi amerikan për paqe, duke e quajtur atë “plotësisht të papranueshme”.

Në një postim më 10 maj, ai tha se nuk e pranon përgjigjen e Teheranit, por nuk tregoi nëse kjo do të çojë në rifillimin e sulmeve ajrore ndaj Iranit.

“Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘përfaqësues’ të Iranit. Nuk më pëlqen – PLOTËSISHT E PAPRANUESHME!”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Mediat iraniane raportuan, ndërkohë, se Irani nuk i ka zbutur kërkesat e tij, duke përfshirë: heqjen e sanksioneve, përfundimin e bllokadës detare nga SHBA-ja dhe garanci kundër sulmeve të ardhshme.

Agjencia e lajmeve, Tasnim, e cila konsiderohet e afërt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), raportoi se propozimi i Teheranit përfshin gjithashtu përfundimin e luftimeve në “të gjitha frontet” – edhe në Liban.

Sipas raportimeve, Irani kërkon nga SHBA-ja edhe kompensim për dëmet e luftës dhe njohje zyrtare të kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit – kërkesa që kundërshtohen nga komuniteti ndërkombëtar.

Po sipas tyre, pranimi i kushteve të SHBA-së do të nënkuptonte “dorëzim” të Iranit ndaj “kërkesave të tepruara”.

Shumë raportime sugjerojnë se plani amerikan është paraqitur në një dokument njëfaqësh, i cili parashikon ndalimin e luftimeve dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa çështje të tjera të rëndësishme – përfshirë të drejtën e Iranit për pasurimin e uraniumit – janë lënë për më vonë.

Trump, më herët, kritikoi ashpër paraardhësit e tij për politikat ndaj Iranit, duke thënë se për 47 vjet ky vend “na ka mbajtur në pritje, ka vrarë njerëzit tanë me bomba në rrugë, ka shtypur protestat dhe, së voni, ka vrarë 42.000 protestues të pafajshëm e të paarmatosur, duke qeshur me vendin tonë që tani është SËRISH I MADH”.

“Ata nuk do të qeshin më!”, shkroi Trump në Truth Social.

Related Articles