Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se nuk është nën presion për të arritur shpejt një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës, duke argumentuar se koha favorizon Shtetet e Bashkuara dhe jo Iranin.
“Unë jam ndoshta personi më pak i presionuar ndonjëherë që kam qenë në këtë pozicion. Kam gjithë kohën e botës, por Irani jo- Ora po ecën!” shkroi Trump në një postim në Truth Social në lidhje me përfundimin e konfliktit, shkruan CNN
Presidenti e përshkroi përsëri pozicionin ushtarak të Iranit si të dobësuar ndjeshëm, duke thënë: “Marina e Iranit ndodhet në fund të detit, Forca e tyre Ajrore është shkatërruar, Armët e tyre Kundërajrore dhe Radari janë zhdukur, udhëheqësit e tyre nuk janë më me ne, Bllokada është hermetike dhe e fortë dhe, prej andej, vetëm përkeqësohet – Koha nuk është në anën e tyre!”
Presidenti vazhdoi të thoshte se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës do të bëhej sipas kushteve të SHBA-së dhe afatit kohor të tij, duke theksuar se një marrëveshje do të arrihet vetëm “kur të jetë e përshtatshme dhe e mirë” për Shtetet e Bashkuara, si dhe për “aleatët tanë dhe, në fakt, për pjesën tjetër të botës”.
