Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se gjatë muajit maj 2026 mjetet neto në menaxhim kanë tejkaluar shifrën prej 4 miliardë eurosh.
Sipas njoftimit të Trustit, rreth 70 për qind e kësaj shume është akumuluar nga kontributet pensionale të qytetarëve, ndërsa afërsisht 30 për qind paraqet kthimin nga investimet.
Nga të dhënat e publikuara, theksohet se fondi ka shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite.
Në fund të vitit 2015, FKPK-ja kishte rreth 1.2 miliard euro mjete në menaxhim, ndërsa tani kjo vlerë ka kaluar 4 miliardë euro.
Trusti vlerëson se rritja e mjeteve nën menaxhim është rezultat i kontributeve të vazhdueshme pensionale dhe performancës së investimeve gjatë viteve të fundit.
Në njoftim është publikuar edhe një grafik që paraqet ecurinë e rritjes së mjeteve në menaxhim nga viti 2015 deri në maj të vitit 2026.
