Përkundër që në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa ishte konstatuar miratimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.
Deputeti Muja në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt pak orë pas saj për shqyrtimin e buxhetit 2023, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin. Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për,jo katër.
Gjatë ditës Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar dhe ka konstatuar miratimin e këtij projektligj me 4 vota pro, tri kundër dhe dy abstenime.
“Në mbledhjen e sotme të Komisionit, me rastin e votimit të Projektligjit për plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, në votim kanë marrë pjesë 9 anëtarë të Komisionit, pro kanë qenë 4, kundër kanë qenë 3, dhe abstenim kanë qenë 2. Me këtë është konstatuar se Komisioni e ka përkrahur projektligjin për miratim në parim. Megjithatë, bazuar në nenin 37 të Rregullores së Kuvendit, komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim që në këtë rast, për të kaluar në emër të Komisionit, do të duhej të kishte 5 vota për, që nuk është arritur. Dhe me ketë konstatoj se Komisioni nuk e ka përkrahur Projektligjin për miratim në parim ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit”, theksoi Muja.
Nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi të përsëritet votimi në një mbledhje tjetër, por për një gjë të tillë nuk është pajtuar pozita.
“Për këtë duhet të vendosim prapë në votim, por duhet të ndodhë në një mbledhje tjetër dhe të merret një vendim për apo kundër”, tha Lushtaku.
Në këtë mbledhje, mori pjesë edhe deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili është shprehur i zhgënjyer me konstatimin e fundit që nuk kalon Trusti. Ai fillimisht uroi që ka kaluar Trusti, por deputeti Muja i tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Urime që kaloi Trusti! O Zoti, pa ju vra mos e lashtë!”, tha me ironi Tahiri.
Pas kësaj, Komisioni votoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Opec për Zhvillim Ndërkombëtar.