Shkeljet që bëhen në komunikacion jo rrallëherë përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Në të shumtën e rasteve, sherri plas si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes të shoferëve. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuar për rastin është Fahri Abazi, 43-vjeçar.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘e Pejës’, ku pas një konflikti verbal në trafik, Abazi dyshohet se ka dalë nga vetura e tij dhe ka shkuar te vetura e viktimës.
Më tej ai dyshohet se ka sulmuar 35-vjeçarin me shufër gome, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.
Viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 43-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.