Kanë kaluar më shumë se dy dekada, por vrasësit e vëllezërve Ylli, Agron Dhe Mehmet Bytyqit, nuk janë arrestuar ende nga organet e rendit në Serbi, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht kanë kërkuar nga Serbia që t’i gjejë autorët, por një gjë e tillë s’ka ndodhur.
Madje tashmë një gjë të tillë po e kërkojnë edhe përmes një Rezolute.
Më 14 korrik 2022 në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ka marrë dritën e gjelbër Rezoluta për rastin e vrasjes të vëllezërve Bytyqi, e cila ishte dorëzuar në këtë institucion më 29 korrik 2021.
Sipas Rezolutës së miratuar, është kërkuar që personat përgjegjës për vrasjet e Ylli, Agron Dhe Mehmet Bytyqit në korrik 1999 në Serbi duhet të sillen para drejtësisë.
Por, ku u gjetën trupat e vëllezërve Bytyqi?
SHBA-ja vazhdimisht përmes reagimeve ka këkuar përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
“Vëllezërit Bytyqi janë ekzekutuar, janë qëlluar në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës, dhe edhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet” për SHBA-të”, thuhej në reagimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vjet më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.
Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.
Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.
Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.
Vrasësit e vëllezërve Bytyqi po fshihen në Serbi
Ilir Bytyqi, vëllai i tre shtetasve të vrarë amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ka potencuar disa herë se vrasësit e vëllezërve të tij janë në pushtet aktualisht në Serbi, duke e drejtuar gishtin të personat që kanë qenë anëtarë të partisë që drejtohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
“Të gjithë e dimë se kush janë autorët e veprës: Goran Radosavljeviç- Guri dhe Vlastimir Dordevic dhe Serbia po e neglizhon këtë rast”, ka pohuar Bytyqi.
Ai shprehet i zhgënjyer pasi Serbia jo që nuk e dënoi, por e nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviç -Guri, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
“Serbia madhëron dhe mbron kriminelët e luftës”, thotë, i mllefosur, ai.
Iliri shton se “provat thelbësore në këtë rast janë dhe në Serbi i kanë të gjitha për të dënuar autorët që vranë vëllezërit e mi”. /Gazeta Enigma/