UEFA nderon me çmimin e Presidentit, mjekët që i shpëtuan jetën Eriksenit

UEFA nderon me çmimin e Presidentit, mjekët që i shpëtuan jetën Eriksenit

Rrëzimi i Christian Eriksen në fushë, ndërkohë që luhej ndeshja e Europianit mes Danimarkës dhe Finlandës, u ngriu gjakun të gjithëve për disa minuta, me fantazistin që humbi ndjenjat, por më pas ia doli të përmendej e t’i rikthehej jetës normale.

Ndërhyrja e mjekëve ishte shumë e shpejtë dhe vendimtare për t’i shpëtuar jetën 29-vjeçarit, ndërsa UEFA ka vendosur që çmimin e Presidentit t’ia akordojë pikërisht stafit që i dhanë ndihmën e parë Eriksenit në atë sfidë.

Lajmin e bëri të ditur vetë qeveria e futbollit europian, që përveç stafit mjekësor, do të nderojë edhe kapitenin e Danimarkës, Simon Kjaer, i cili mbërriti i pari pranë Eriksen dhe më pas u kujdes që gjithçka të shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Për fat të mirë dhe për lehtësimin tonë të madh, jeta e Christian Eriksen u shpëtua falë profesionalizmit të shquar të stafit mjekësor danez. Unë i admiroj dhe i përgëzoj për qetësinë e profesionalizmin me të cilat ia dolën të rikthejnë sërish në jetë Eriksen”, deklaroi kreu i UEFA-s, Ceferin.

Related Articles