Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka raportuar më tepër shkelje të armëpushimit në lindje, një ditë pas të shtënave me armë të rënda, njofton CNN.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në 11 orët e para të së dielës, është raportuar për “20 incidente të shkeljes së armëpushimit nga forcat okupuese ruse, përfshirë 18 incidente ku forcat okupuese ruse kanë përdorur armë të ndaluara me Marrëveshjen e Minskut”.
Marrëveshja Minsk II çoi te armëpushimi mes forcave ushtarake ukrainase dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia dhe ndalon përdorimin e armëve të rënda në afërsi të vijës së kontaktit mes dy palëve.
Ukraina ka thënë se janë regjistruar në total 136 shkelje të armëpushimit të shtunën.
Autoritetet ruse ndërkohë kanë njoftuar se më tepër se 40 mijë persona kanë arritur në Rusi pasi janë evakuuar nga republikat e vetëshpallura të Donetzkut dhe Luhanskut. Këtë e ka konfirmuar ministri për Situata të Emergjencës, Alexander Chupriyan.
“Ata janë vendosur kryesisht në rajonin e Rostovit”, ka thënë Chupriyan.
Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të dielën, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka çdo arsye për të besuar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk dëshiron të implementojë marrëveshjet e Minskut. / Gazeta Enigma.