Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kishte premtuar se me datën 15 shtator të këtij viti do të tregonte kohën dhe datën kur përfundojnë punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Megjithatë, ky afat i të parit të Gjilanit ka skaduar mbrëmë pas mesnate, duke mos u ditur asgjë rreth datës kur punimet në stadium përfundojnë.
Hyseni në një deklaratë më 11 shtator kishte thënë se në Gjilan do të vinte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku me të cilin kishin synuar të tregonin kohën dhe afatin.
“Me datën 15 të këtij muaji do të vije ministri në vizitë. Në konferencë do t’i tregojmë kohën dhe afatet kur kryhen punimet. Unë nuk gënjej publikisht”, kishte thënë Alban Hyseni në Kanal10 më 11 shtator, transmeton AnamoravaOnline.
Alban Hyseni e realizoi premtimin e parë. Atë me takimin me ministrin si dhe daljen në konferencë. Por, ata nuk e treguan datën dhe kohën, siç premtoi duke thënë se “nuk gënjenj publikisht.
Punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan kanë nisur vite më parë, por finalizimi duket të jetë shumë larg.
Kujtojmë se Drita dhe Gjilani ditë më parë zhvilluan derbin numër 41 në histori pa praninë e tifozerive, për shkak se stadiumi me bari sintetik nuk plotëson kushte që në stadium të jenë dy tifozeritë, për shkak të incidenteve të mundshme, gjë e cila nuk u prit aspak mirë në kryeqendrën e Anamoravës.