Manchester Unitedi është kthyer nga disavantazhi për ta mposhtur West Ham Unitedin (3-1) në ndeshjen e raundit të pestë të FA Cup për t’u kualifikuar në çerekfinale të kësaj gare.
Marcel Sabitzer e Alejandro Garnacho i patën rastet më të mira në gjysmën e parë, e cila u mbyll pa gola.
Pas një intervenimi të mrekullueshëm të David de Geas që mbrojti goditjen me kokë të Tomas Soucek, mysafirët erdhën te goli i epërsisë.
Mohamed Said Benrahma pranoi një top në zonë nga Emerson, krijoi hapësirë dhe e zhbllokoi rezultatin. (54’)
Djajtë e Kuq i patën disa raste në vijim dhe Casemiro arriti ta fuste topin në rrjetë në minutën e 72-të, por goli u anulua pas konsultimit të VAR-it për pozitë jashtë loje.
Rezultati u barazua në minutën e 77-të kur Nayef Aguerd realizoi autogol pas harkimit nga këndi të Bruno Fernandes.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, goditja e Wout Weghorst u bllokua, por topi shkoi te Alejandro Garnacho, i cili realizoi gol të bukur (90’).
Një tjetër gol, Djajtë e Kuq e shënuan në minutat shtesë përmes Fred (90’+5) për ta konfirmuar kualifikimin në çerekfinale të Kupës FA.