Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate ka reaguar pas liturgjisë që është mbajtur dje në kishën që gjendet kampusin e Universitetit të Prishtinës, raporton Gazeta Enigma.
Në këtë komunikatë thuhet se liturgjinë e djeshme e shohin si ndikim në procesin gjyqësor, duke e ditur se ky institucion është në procedurë kontestimore në Gjykatë Theemelore për lokacionin e ndërtimit të kishës.
“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së. UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor”, thuhet tutje në komunikatë, derisa, UP-ja ka paralajmëruar se do të ndërmerr veprime ligjore për këtë rast.
“Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore. UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit. Rektorati i Universitetit të Prishtinë”, përfundon komunikata.
Dje për liturgjinë që është mbajtur në oborrin e Kishës, Qeveria ka bërë të ditur se nuk kanë pasur informacione as ata e as policia e Kosovës.