Ura e Ibrit/ Rohde kishte kërkuar heqjen e postblloqeve, Guerot kafiteri e lule

Ura e Ibrit/ Rohde kishte kërkuar heqjen e postblloqeve, Guerot kafiteri e lule

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot janë deklaruar së fundmi rreth hapjes së urës së Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të veriut. Rohde tha urat lidhin njerëz teksa shtoi se politikanët duhet të punojnë që qytetarët ta gëzojnë qytetin.

Tutje ambasadori gjerman në një intervistë për RTK tha se ka detyra shtëpie që duhet të kryhen në mënyrë që të hapet kjo urë.

“Simbolika e kësaj ure që e shohim në anën e majtë dhe të djathtë, shoh polic dhe postblloqe. Pra shihet që ka detyra  shtëpie që duhet të kryhen dhe kjo urë duhet që t’I lidh njerëzit dhe jo t’i ndajë njerëzit sepse urat janë për t’i lidhur njerëzit”, tha Rohde.

Rohde përmendi edhe vizitën e ministres së jashtme të Gjermanisë tek ura e Ibrit para dy vitesh. Ai tha se ka pasur premtime që kjo urë të hapet edhe atëherë.

“Urat pra lidhin njerëz. Politikanët, shoqëria pra duhet të punojnë shumë që njerëzit në Mitrovicë të veriut dhe në atë të jugut thjeshtë të mund ta gëzojnë qytetin, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën dhe ministrja ime e jashtme ka qenë para dy vitesh këtu , ka biseduar me kryetarët e komunave dhe janë lidhur ato premtimet, por nuk janë hequr ende postblloqet. Këtë duhet ta bëjnë politikanët dhe të punojnë në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Francës, Olivier Guerot tha se ka dëshirë që mbi urën e Ibrit të ketë kafiteri dhe më shumë lule.

“Për sa i përket kësaj ure, trupat franceze në një moment të caktuar i ka ndalur ekstremistët nga të dyja anët , duke mos i lejuar që të dalin në anën tjetër dhe për t’u siguruar që situata të mos përkeqësohet dhe shumë nga ushtarët tanë janë plagosur në ato operacione më parë. Duhet të shohim pak nga e ardhmja. Ajo që shoh unë, kemi një pjesë këmbësore këtu, pastaj edhe ura që është për këmbësor nga të gjitha anët. Thjesht dua që të shoh më shumë kafiteri ose lule dhe t’i ndërlidhim këto dy zona të vogla të këmbësorëve në mënyrën më paqësore të mundshme dhe besoj që ky të jetë destinimi përfundimtar i urës”, tha Guerot.

Në agjendën e Qeverisë së Kosovës sa i përket veriut të Kosovës duket se është edhe hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave. Ky paralajmërim ka ardhur nga numri dy i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, dhe nga Asamblistë të VV-së në Komunën Veriore të Mitrovicës që udhëhiqet nga Erden Atiq i VV-së.

Bashkimi Evropian ka reaguar duke thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE në Bruksel. Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur edhe KFOR-i të premten.

Por cila është historia e Urës së Ibrit dhe e marrëveshjeve që janë nënshkruar për hapjen për qarkullim e që s’po zbatohen ende.

Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për rivitalizimin e Urës.

Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada të betonit, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.

Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku fillimisht parashihej mbyllje e dy anëve të Urës me barriera fikse dhe me kantier deri më 15 tetor 2015. Sipas kësaj marrëveshje parashikohej që Ura të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.

Përveç kësaj, ishte paraparë edhe rivitalizimi i rrugës kryesore “Mbreti Petar” në një zonë këmbësore, gjithashtu deri në fund të qershorit 2016.

Po ashtu i parashikuar edhe përcaktimi i hartave të kufijve administrativ të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy Komunave të Mitrovicës.

Megjithatë, përkundër kësaj marrëveshje, rivitalizimi s’ishte kompletuar deri në qershor të vitit 2016.

Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në një plan të implementimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të rivitalizimit të Urës së Ibrit.

Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që të rivitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Petar” deri më 14 gusht 2016, dhe që  të hapet Ura për të gjithë trafikun më 20 janar 2017, dhe gjithashtu të angazhohen për konkluzionet e mëparshme për përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet Mitrovicës Jugore dhe Veriore deri më 14 tetor 2016.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur për të gjithë trafikun dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh.

Related Articles