Albert Bunjaku, Betim Fazliji, Mirlind e Hekuran Kryeziu apo Florent Hadërgjonaj – të gjithë kanë luajtur për gjeneratat e reja të Zvicrës, por më vonë vendosën të luajnë për Përfaqësuesen A të Kosovës. Megjithatë, ndryshe është situata me futbollistin e skuadrës së Luganos, mesfushorin Uran Bislimi. 22-vjeçari ishte ftuar nga Kosova për herë të parë që të jetë pjesë e grumbullimit për dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros. Mirëpo, ai nuk pranoi të bashkohet me Kosovën.
“Bislimi e refuzoi ftesën”, tha të martën përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, në konferencën për shtyp. “Ai dëshiron ta ndërrojë fanellën. Kjo është shumë për të ardhur keq, pasi Bislimi më parë kishte luajtur për ekipet e reja të Kosovës”.
Megjithatë, Giresse nuk është plotësisht i saktë në këtë konstatim. Ish-juniori i Baselit ka qenë vetëm një herë i grumbulluar me Përfaqësuesen U21 të Kosovës. Kjo ka ndodhur në vitin 2019 dhe nuk është përdorur fare. Ndërkohë, për ekipin U19 të Zvicrës, nga ana tjetër, ish-kapiteni i Schaffhausenit e ka luajtur një ndeshje ndërkombëtare dhe atë në vitin 2018. Megjithatë, Bislimi e arsyeton refuzimin e ftesës. Ai thotë se këtë e ka bërë për shkak të Luganos pasi synimi i tij është të stabilizohet në ekip dhe të jetë i rregullt. Mirëpo, ai pranon se është ëndërr e çdo futbollisti për të luajtur për Përfaqësuesen e Zvicrës.
“Nuk ishte vendim kundër Kosovës, por për Luganon. Jam i lumtur dhe krenar për Përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, prioriteti im për momentin është të adaptohem te Lugano sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të zhvillohem në një titullar të rregullt këtu”, thotë Bislimi. “Të luash për Përfaqësuesen e Zvicrës është padyshim ëndrra e çdo futbollisti”.
E nëse Bislimi është mjaft i mirë për t’u ftuar te Përfaqësuesja A e Zvicrës, mbetet për t’u parë.
“Nëse do të përballesha ndonjëherë me një vendim të tillë, do të më duhej të mendoja se çfarë është më e mira për karrierën time”, insistoi ai.
Vendimi i Bislimit për t’u mos grumbulluar me Kosovën, tashmë ka shkaktuar reagime në ekipin kosovar. Ishte ish-lojtari i Baselit, Edon Zhegrova, që u shpreh i shqetësuar me këtë vendim të Bislmit dhe reagoi me një postim në Instagram.
“Vetëm nëse e do dhe e ndjen këtë vend, mund të luash për të”, ishte shkrimi i Zhegrovës. “Më u deshën vetëm dhjetë sekonda për ta pranuar vendin tim, sepse aty është zemra ime. Nëse nuk e doni këtë vend, nuk jeni pjesë e tij. Kjo është për këdo që mendon se është dikush”.
Reagime pati edhe nga fansat, por një pjesë të madhe të tifozëve kosovarë nuk u vjen keq për vendimin e Bislimit. Por, kjo është kryesisht për shkak se ai nuk është shumë i njohur në Kosovë. Sulmuesi aktual i Baselit, Andi Zeqiri, edhe pse ka luajtur vetëm për gjeneratat e reja të Zvicrës, në verën e vitit 2020 ai pozoi me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Pak më vonë, 23-vjeçari u rikthye dhe vendosi të vazhdojë të luajë për Zvicrën. Shtatorin e vitit të shkuar, Zeqiri më në fund bëri debutimin e tij te Përfaqësuesja e Zvicrës nën drejtimin e përzgjedhësit Murat Yakin. Megjithatë, në paraqitjen e tij të shtatë dhe deri më tani të fundit ndërkombëtare, Zeqiri mori fishkëllima të shumta në stadiumin “Letzigrund” të Zuerichut, në ndeshjen miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës që përfundoi 1:1.
“Ata që janë pranë meje mund ta kuptojnë dhe e kuptojnë plotësisht vendimin tim”, thotë Bislimi për reagimet që mori pasi refuzoi ftesën e Kosovës. “Ata më respektojnë dhe më mbështesin në këtë. Nuk më interesojnë reagimet nga mjedisi i largët. Siç thashë më parë, fokusi im është aktualisht te FC Lugano”.
Bislimi si futbollist është zhvilluar në gjeneratat e reja të Baselit, përpara se të largohet në vitin 2019 dhe të transferohet te Shchaffauseni. Ai verën e këtij viti iu bashkua Luganos, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Këtë edicion, Bislimi ka tetë paraqitje me fanellën e Luganos në të gjitha garat.