Ushtria izraelite nis sulme në pjesën qendrore të Gazës

Ushtria izraelite nis sulme në pjesën qendrore të Gazës

Ushtria izraelite tha se ka filluar “aktivitet operacional” në dy zona të pjesës qendrore të Gazës, në një zgjerim të mundshëm të ofensivës tokësore një-mujore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria tha të mërkurën se forcat e saj po operonin “si mbi ashtu edhe nën tokë” në pjesët lindore të Deir al-Balah dhe Bureij – një kamp i ndërtuar refugjatësh palestinezë që daton nga lufta e vitit 1948.

Ushtria tha se operacioni filloi me sulme ajrore në infrastrukturën militante, pas së cilit trupat filluan një operacion tokësor në të dy zonat.

Ofensiva tetë-mujore ka ndërprerë kryesisht fluksin e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera për palestinezët që po përballen me urinë e përhapur.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë presin që Izraeli dhe Hamasi t’i përgjigjen një propozimi të ri për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

Të afërm dhe miq të pengjeve të marra nga Hamasi, kanë mbajtur disa herë protesta për t’i bërë presion Qeverisë izraelite, që t’i intensifikojë përpjekjet për lirimin e pengjeve.

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, përfshin, mes tjerash, armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite.

Related Articles