Kosova ka miratuar vendimin për vaksinimin e fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç me vaksinën kundër COVID-19 me kërkesë të prindit ose kujdestarit ligjor dhe në prani të tyre, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në profilin e tyre në Facebook kanë shpalosur disa informata që prindërit duhet t’i dinë për vaksinimin e fëmijëve të tyre kundër koronavirusit.
Udhëzues për COVID-19 për prindërit – Çfarë duhet të dini për të mbajtur fëmijët tuaj të sigurt!
Si prindër, ju dëshironi të bëni gjithçka që mundeni për të mbrojtur fëmijët tuaj. Pandemia COVID-19 ka sjellë me vete sfida të reja për familjet në të gjithë globin. Ky udhëzues ju ofron informacione të sakta dhe të besueshme për mënyrat më të mira për të mbajtur fëmijët tuaj të sigurt nga COVID-19.
Si ndikon COVID-19 te fëmijët dhe adoleshentët?
Sëmuren rëndë nga COVID-19, kanë probleme shëndetësore afatshkurtra dhe afatgjata, përhapin COVID-19 te të tjerët, në shtëpi, shkollë, etj.
‘’Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur paraprakisht se si fëmijët ose adoleshentët do të përballen me COVID-19. Megjithatë, fëmijët me probleme shëndetësore ose që kanë sistem imunitar të dobësuar kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë nga COVID-19. Por, edhe fëmijët pa probleme shëndetësore mund të përjetojnë gjendje të rëndë nga COVID-19. Në fakt pothuajse gjysma e fëmijëve më të vegjël se 18 vjeç të shtruar në spital me COVID-19 nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër kronike’’, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje ata kanë njoftuar se ‘’COVID-19 mund t’i bëjë fëmijët dhe adoleshentët e çdo moshe të sëmuren rëndë dhe ndonjëherë të kërkojnë trajtim në spital’’.
A mund të përjetojnë efekte afatgjata fëmijët që infektohen me COVID-19?
Kushdo që ka pasur COVID-19 mund të përballet me COVID-19 të zgjatur. Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët me COVID-19 të lehtë dhe të rëndë kanë përjetuar simptoma afatgjata. Simptomat më të zakonshme te fëmijët përfshijnë:
Lodhje, dhimbje koke, probleme me gjumin, probleme me përqendrimin, dhimbje të muskujve dhe kyçeve, dhe kollë.
Sipas MSh-së ‘’këto simptoma mund të ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për të ndjekur shkollën ose për të kryer aktivitetet e tyre të zakonshme. Në rast të simptomave afatgjate të COVID-19, flisni me mjekët dhe mësimdhënësit për nevojat e fëmijëve tuaj’’.
Vaksinimi i fëmijëve kundër COVID-19
‘’Vaksinimi kundër COVID-19 është mënyra kryesore për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 dhe ndërlikimet e tij. Kosova filloi vaksinimin kundër COVID-19 me 29 Mars 2021 në popullatën 16+. Me 2 Nëntor 2021 Ministria e Shëndetësisë aprovoi edhe vaksinimin e grup-moshës 12-15 vjeç me dozën e parë dhe të dytë (seria primare). Ndërsa, me rekomandim të Komitetit për vaksinim u aprovua edhe doza pediatrike për grup-moshën 5-11 vjeç. Sa i përket dozës përforcuese, popullata e kualifikueshme është 12+. Kjo dozë rekomandohet të jepet së paku 5 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës’’, njoftojnë nga kjo ministri.
‘’Vaksina e aprovuar për personat mbi 5 vjeç e cila jepet në Kosovë është vaksina Pfizer BioN/Tech. Për grup-moshën 5-11 vjeç jepen dozat pediatrike (që janë doza më të vogla, të përshtatshme për këtë grup-moshë), ndërsa për grup-moshën 12+ jepen dozat e rregullta’’.
Vaksinimi kundër COVID-19 I fëmijëve dhe adoleshentëve mund të ndihmojë në menaxhimin e pandemisë duke:
• Mbrojtur fëmijët nga gjendja e rënduar shëndetësore në rast të infektimit
• Lejuar vazhdimin e aktiviteteve në shkollë ose në çerdhe
• Lejuar pjesëmarrjen e sigurt në sporte, vendet e lojës dhe aktivitete të tjera në grup.
Si u përcaktua siguria, efektiviteti dhe efikasiteti I vaksinave Pfizer-BioN/Tech COVID-19 për përdorim te fëmijët dhe adoleshentët?
‘’Komiteti për përdorimin e produkteve mjekësore te njerëzit (CHMP) të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) me 28 maj 2021 rekomandoi përdorimin e vaksinës Pfizer-BioN/Tech te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Kurse, me 25 nëntor 2021 u rekomandua fillimi i përdorimit të dozës pediatrike te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç’’, ka deklaruar MSh.
Sipas tyre ‘’efektiviteti dhe efikasiteti i vaksinës u hulumtuan dhe u testuan në fëmijë të moshës 5-11 dhe 12-15 vjeç. Studimet u miratuan nga Komiteti Pediatrik (PDCO) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA). Studimet treguan se përgjigja imunitare në këto grup-mosha është e krahasueshme me përgjigjen imunitare të grup-moshës 16-25 vjeç (e matur nga niveli i antitrupave kundër SARS-CoV-2)’’.
‘’Provat klinike dhe monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë tregojnë se vaksinimi COVID-19 është i sigurt për fëmijët dhe adoleshentët’’, theksojn, theksojnë nga MSh.
A ka kundërindikacion ndaj vaksinave kundër COVID-19?
‘’Reagimi alergjik (anafilaksia) pas marrjes së vaksinave kundër COVID-19 (mARN) është raportuar rrallë. Nëse ndodh reagimi alergjik pas dozës së parë të vaksinës, nuk duhet të jepet doza e dytë e vaksinës. Prandaj, reagimi i mëhershëm alergjik ndaj ndonjë përbërësi të vaksinës është kundërindikacion i vaksinës’’thuhet në deklaratën e tyre.
Efektet anësore të vaksinës COVID019 tek adoleshtët?
‘’Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë disa efekte anësore pas marrjes së vaksinës COVID-19 të cilat janë të lehta dhe zakonisht zhduken brenda pak ditësh’’.
Disa adoleshentë nuk kanë fare efekte anësore. Efektet anësore të zakonshme pas marrjes së dy dozave të para të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 të raportuara në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve janë:
Lodhje, ethe, dhimbje koke, dhimbje në krahun ku është bërë injektimi.
Vendosja e një lecke të ftohtë dhe të lagur në zonën e krahut ku është dhënë vaksina mund të ndihmojë. Pyesni mjekun familjar për këshilla lidhur me menaxhimin e efekteve anësore eventuale. /Gazeta Enigma/