Sulmuesi i krahut Valmir Veliu është huazuar deri në fund të sezonit te skuadra e Istanbulsporit. Veliu është pjesë e Gaziantepit, por do të luajë deri në fund të sezonit aktual te skuadra tjetër elitare e Turqisë. Gaziantepi dhe Hatayspori janë tërhequr nga garat pas tërmetit të rëndë që e goditi Turqinë më datën 6 shkurt. Federata e Futbollit e Turqisë ua ka lejuar klubeve regjistrimin edhe të dy lojtarëve të huaj deri në fund të këtij edicioni. Sulmuesi Veliu pret të ketë hapësirë edhe në radhët e Istanbulsporit. Ai ka theksuar se do ta jep maksimumin për ta ndihmuar ekipin që të mbijetojë në elitën e futbollit turk.
“Në tre muajt e ardhshëm do të luaj në formë huazimi te skuadra e Istanbulsporit. Më pas do të kthehem tek ekipi im, por për aq kohë sa do të jem pjesë e Istanbulsporit do ta jap më të mirën nga vetja. Do të jap maksimumin për ta ndihmuar ekipin. Shpresoj të kem paraqitje të mira për të arritur edhe më lart”, ka thënë Veliu të mërkurën për Kohën.
Istanbulspori zë vendin e 18-të në tabelë me 21 pikë të grumbulluara. Është në garë për mbijetesë. Ndërkohë, Gaziantepi është më lart i renditur. Zë vendin e 11-të dhe ka 25 pikë. Por Gaziantepi është tërhequr nga garat për këtë edicion. Ndeshjet do t’u takojnë skuadrave kundërshtare me rezultat zyrtar, ndërsa në edicionin 2023/2024 skuadrat do të luajnë në nivelin ku janë paraqitur në këtë sezon. Veliu ishte në Kosovë kur tërmeti i rëndë la mbi 40 mijë të vdekur në Turqi dhe Siri. Pjesë e Istanbulsporit janë edhe shqiptarët Florian Loshaj, Eduart Rroca, Valon Ethemi, Jetmir Topalli dhe Sidrit Guri. Veliu ka theksuar se është pritur mirë nga drejtuesit e skuadrës, nga trajnerët dhe lojtarët shqiptarë.
“Më kanë pritur shumë mirë në ekip trajnerët e po ashtu edhe lojtarët shqiptarë. E falënderoj menaxherin tim, Rrahim Kiçen, që në kohë shumë të shpejtë më siguroi klub të ri për t’i kaluar muajt e mbetur të kampionatit, pasi unë sërish do të kthehem në skuadër. Uroj që një situatë të tillë të mos e përjetojë askush”, ka thënë Veliu.
Në Turqi ka numër të madh të lojtarëve shqiptarë. Veliu u transferua te Gaziantepi verën e vitit të kaluar nga skuadra e Llapit, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2025. 22-vjeçari në 15 ndeshje të luajtura ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me një asistim.
Veliu për Kosovën ka luajtur një ndeshje në vitin 2020, ndërsa 13 paraqitje i ka edhe për Shpresat e Kosovës. Ai ka një gol të shënuar. Veliu pret që t’i tregojë vlerat e tij te klubi turk për të marrë ftesë nga Kosova.