Superliga e Kosovës në futboll është duke shkuar drejt fundit këtë sezon.
Aktualisht tri skuadra janë në luftë për titullin kampion dhe tri ekipe tjera janë duke luftuar për t’i ikur zonës së barazhit, raporton Gazeta Enigma.
Njëra ndër skuadrat që po lufton për t’u kurorëzuar me titullin kampion është Drita nga Gjilani.
Drejtori sportiv i kësaj skuadra, Valon Zymberi, ka folur për ecurinë e kampionatit në emisionin ‘Zona30’ në RTSH.
Sipas Zymberit, ndeshja me rivalin lokal Gjilanin është më e rëndësishme se sfida me Ballkanin.
“Në këtë fazë që jemi të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Sigurisht që ndeshja me Gjilanin është derbi në veti dhe është epiteti më i vulosur në futboll. Me Gjilanin kemi pasur në vazhdimësi derbi, ndërsa me Ballkanin vetëm në vitet e fundit mund të quhet derbi sepse Ballkani nuk ka qenë në këto nivele”, tha Zymberi.
Drita aktualisht zë vendin e dytë në klasifikim me 58 pikë të mbledhura, dy më pak se Ballkani e cila kryeson ligën. Kurse, Gjilani është duke luftuar për t’i ikur zonës së barazhit ku momentalisht zë vendin e shtatë me 34 pikë të mbledhura, 3 më shumë se Feronikeli 74’ që pozicionohet në pozitën e barazhit.
/Gazeta Enigma/