Trajneri i njohur Sami Sermaxhaj ka folur për Gazeta Enigma lidhur me rrjedhën e edicionit 2021/2022, konkretisht për stinorin vjeshtor të këtij edicioni, duke potencuar disa nga të arriturat por edhe të metat e futbollit të Kosovës, me theks të veçantë në BKT Superligë.
Sipas trajnerit Sami Sermaxhaj, risi këtë edicion të garave ka qenë instalimi i VAR-it në Superligën e Kosovës, i cili ka bërë që të minimizohen gabimet e referëve.
“Kjo është një e arritur shumë e madhe për futbollin e Kosovës për arsye se kemi pasur debate të shumta lidhur me vendimet e gjyqtarëve, kështu që tani ato janë minimizuar, ndërsa investimi në infrastrukturë lë për të deshiruar edhe pse federata ka ndihmuar klubet, sidomos në terrene stërvitore. Kurse sa i përket investimeve në stadiumet garuese, kjo lë shumë për të dëshiruar pasi nuk është në raport të drejtë me investimet e bëra në lojtar”, tha ai.
Ky sistem aktual i garave në Superligë, sipas Sermaxhaj ka ngritur konkurrencën ndërsa i ka ndarë skuadrat në dy pjesë, ato që luftojnë për titull dhe skuadrat që luftojnë për ekzistencë.
“Sa i përket garës, mendoj që sistemi me dhjetë ekipe ka bërë që ajo të jetë shumë e luftuar. Kemi pesë ekipe, Drita, Gjilani, Ballkani, Prishtina e Llapi, që luftojnë për dalje në europë, ose për të fituar titullin, dhe mendoj që pesë ekipet tjera, të cilat edhe me financa edhe me grup të lojtarëve janë më pak të komponuara, Drenica, Malisheva, Dukagjini, Ulpiana dhe Feronikeli, do të luftojnë deri në fund për të siguruar mbijetesën”, ka shtuar Sermaxhaj.