Vazhdon aksioni i Policisë – Sekuestrohen edhe 6 aparate në Vushtrri, 317 të sekuestruara vetëm të shtunën

Vazhdon aksioni i Policisë – Sekuestrohen edhe 6 aparate në Vushtrri, 317 të sekuestruara vetëm të shtunën

Kriza energjetike që ka kapluar vendin ka bërë që ekzekutivi të nxjerrë vendim për ta ndaluar prodhimin e kriptovalutave në Kosovë. Vetëm të shtunen, Policia e Kosovës sekuestroi mbi 300 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në të gjithë vendin, shkruan Gazeta Enigma.

Pas aksionit e së shtunes në kryqytet dhe Leposavic, Policia ka vazhduar aksionin në qytetin e Vushtrrisë, ku ka arritur të sekuestron gjashtë aparate dhe 42 kartela për prodhimin e kriptovalutave.

“Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, në orët e mbrëmjes së datës 8 janar 2021, kanë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela për prodhimin e c.Sekuestrimi i aparateve dhe pajisjeve të dyshuara është bërë në fshatin Druar të Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e PK’së.

Policia ka bërë të ditur se në kohën kur njësia policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, gjatë kontrollit të detajuar brenda veturës ishin gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela dhe mjete të ndryshme të dyshuara që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.

Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.

Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar drejtuesi i veturës i cili pas intervistimit është liruar në procedurë rregullt.

Ndërkohë, në Leposaviq, një person kishte instaluar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Pronari që prodhonte kriptovaluta për bursat botërore, pajisjet i kishte instaluar në ahur. Aksioni prodhoi arrestimin e një personi.

Kurse, në Prishtinë në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës” u konfiskuan 39 pajisje tjera.

Në kohën kur po kryhej kontrolli, 35 nga këto pajisje ishin duke punuar për të prodhuar kriptovaluta.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Ndryshe, kriza energjetike që ka përfshirë Kosovën, e ka shtyrë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, që të marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë vendin.

“….javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili jo rrallë herë gjatë qeverisjes së Kurtit u doli në mbrojtje veprimeve të ekzekutivit, kishte deklaruar se këto pajisje të sekuestruara në veri shpenzojnë rrymë mesatarisht sa 500 shtëpi.

“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive.  Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj.  Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati./Gazeta Enigma/

Related Articles