Vdekja e 27-vjeçarit pas arrestimit, suspendohen pesë policë

Vdekja e 27-vjeçarit pas arrestimit, suspendohen pesë policë

Pesë zyrtarë policorë në Lipjan janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, në kuadër të hetimit për rastin e 27-vjeçarit, i cili vdiq pas arrestimit nga Policia e Kosovës.

Kjo masë është rekomanduar nga IPK, por Prokuroria nuk ka lëshuar urdhër për ndalim policor, pasi ende nuk ka prova të mjaftueshme që i implikojnë zyrtarët në fjalë në vepime të kundërligjshme.

“Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale. IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor”, thuhet në njoftim.

Rasti ndodhi pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar pas pranimit të informacionit se i  njëjti, dyshohej se nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë.

Në reagimin e Policisë thuhet se njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë 27-vjeçarit, por “përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”.

Lexoni edhe: Momenti i arrestimit të 27-vjeçarit në Lipjan, i cili më pas vdiq

Related Articles