Një fëmijë dyvjeçar nga Rahoceci, ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi kishte pësuar një lëndim në kokë kur ishte rrëzuar më 31 gusht në Rahovec.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se fëmija pas lëndimit ishte dërguar për tretman mjekësor në spitalin e këtij qyteti, dhe më pas ishte transferuar në QKUK, ku edhe ka vazhduar trajtimin.
“Me datë 31.08.2025, rreth orës 16:30, stacioni policor në Rahovec është njoftuar se në fshatin Vrajakë-Rahovec, ka ndodhur një rast lëndim aksidental. Sipas informatave të para të pranuara, viktima – një fëmijë i gjinisë mashkull, i lindur në vitin 2023, ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në kokë. Fillimisht ai është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të Gjakovës, e më pas është transferuar në QKUK , ku ka vazhduar trajtimin mjekësor. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar të iniciohet rast “Hetim i Vdekjes”, tha Elezaj.