Një rast i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Ngucat të Malishevës, ku si pasojë e një aksidenti me traktor, një person ka humbur jetën, teksa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor, që intervenoi në vendin e ngjarjes, bashkë me njësitet policore që kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lajmin e ka konfirmuar Policia, me ç’rast ka njoftuar se personi tjetër që u lëndua është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 14:00 është raportuar aksident trafiku në fshatin Ngucat- Malishevë. Policia ju ka përgjigjur rastit, ku ngasësi i një traktori dyshohet të ketë humbur kontrollin mbi të dhe është vet-aksidentuar. Për pasojë një person mashkull i moshës madhore ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër (po ashtu mashkull i moshës madhore) është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore. Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.”