Dialogu dhe Asociacioni – çka u tha deri më tash

Dialogu dhe Asociacioni – çka u tha deri më tash

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin takuar të enjten me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, në një përpjekje të re perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.

Macron, Scholz dhe Meloni në qëndrim të përbashkët kanë thënë se për të arritur progres të shpejtë në zbatim, i bëjnë thirrje Kosovës që të nis procedurën e themelimit të Asociacionit si në draft-statut dhe gjithashtu i bëjnë thirrje Serbisë që të bëjë njohjen de-facto.

Në fund kanë thënë se në mungesë të përparimit, palët rrezikojnë të humbin shumë.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është e gatshme të bëjë një gjë të tillë.

Vuciq tha se Serbia dëshiron t’i zbatoj të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet kosovare.

“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, tha Vuçiq.

Por, ai shtoi se Serbia “nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës” – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.

Sipas tij, marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Kurti të hënën u takua me ambasadorët e akreditur të shteteve të QUINT-it në Kosovë, për t’i informuar ata për më të rejat e fundit mbi dialogun.

Aty, Kurti tha: Nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur një marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova është ende e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon të refuzojë.

Një kërkesë e partive opozitare e detyron kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të premten ta raportojë përpara Kuvendit për dialogun me Serbinë, sidomos draft-statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Gazeta Enigma/

Related Articles