Vendimi i Kushtetueses, Haradinaj i bën thirrje deputetëve ta zbatojnë

Vendimi i Kushtetueses, Haradinaj i bën thirrje deputetëve ta zbatojnë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushteuese që u ka dhënë afat 30 ditë deputetëve për ta konstituuar Kuvendit, duke u bërë thirrje deputetëve që ta zbatojnë këtë vendim.

“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, shkroi Haradinaj.

“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, u shpreh i pari i AAK-së.

“Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës. Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”, tha Haradinaj. /Gazeta Enigma

Related Articles