Një afishe është vendosur sot në mëngjes në gjuhën serbe në veri të vendit, përkatësisht në vendin ku ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Në këtë afishe me shkronja të mëdha cirilike, shkruan “Ne jemi këtu! Në pritje”.
Dhe në lidhje me këtë përmes rrjetit social në Twitter ka reaguar eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Ai përmes postimit ka shkruar se grupet kriminale të Radojiçiqit dhe Vuçiqit janë duke pritur në veriu të vendit. Por siç ka shkruar ai, kush pret humbet kohë.
“ ‘Ne jemi këtu! Duke ju pritur!’. Grupet kriminale të Radojiçiqit dhe Vuçiqit janë duke pritur në veri të vendit në Kosovë. Por kush pret, humbet kohë”, ka shkruar Musliu.
Ndryshe, një ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se Policia e Kosovës ka filluar patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit, gjë që bëri që sot të reagoi Lista serbe duke thënë se “Kosova nuk do të arrijë kurrë që të sundojë veriun”.
Por gjithashtu tri ditë më parë, kryeministri i vendit Abin Kurti vizitoi veriun e vendit, përkatësisht bazën e PK-së në Zubin Potok e kampin Belvedere në Mitrovicë.
Edhe këtë vizitë nuk e priti mirë komuniteti serbë në Kosovë, derisa ndaj këtij veprimi kanë reaguar nga Lista Serbe.