Vengu nga Munihu: Ushtria e Kosovës, e gatshme të marrë përgjegjësi të reja të sigurisë

Vengu nga Munihu: Ushtria e Kosovës, e gatshme të marrë përgjegjësi të reja të sigurisë

Ministri i mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, nga Mynihu ka folur për bashkëpunimin ushtarak mes Tiranës, Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për zhvillimet strategjike që lidhen me sigurinë në rajon.

Në një bisedë për Euronews Albania, ai u shpreh se aleanca ka miratuar përfshirjen e Korridorit VIII si një korridor sigurie dhe për logjistikën e aleancës në rajonin tonë. Sa i përket investimeve në infrastrukturë, Vengu theksoi se Bashkimi Evropian prej vitesh investon së bashku me qeverinë shqiptare.

I pyetur për zhvillimet e reja strategjike në raportet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, Vengu deklaroi se Shqipëria ka kërkuar vazhdimisht vëmendje maksimale të aleancës dhe të ShBA-së ndaj Kosovës dhe misionit të KFOR.

“Një kërkesë po ashtu e jona për sa i përket nevojës që KFOR-i të njohë progresin e Kosovës dhe Forcave të Sigurisë të Kosovës, të cilat kanë filluar të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mund të marrin përgjegjësi të mëtejshme në këtë drejtim”, shtoi ai.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Vengu u shpreh se Shqipëria së bashku me Kroacinë e kanë këtë si kërkesë të përsëritur në tryezën e aleancës.

“Pa dyshim që deri në anëtarësim ka disa elementë që duhet të ndodhin, dhe elementi i parë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e marrëdhënies midis KFOR-it dhe përgjegjësive që duhet të marrin Forcat e Sigurisë të Kosovës. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mbetet vetëm në aspektin diplomatik brenda aleancës. Ne ndërveprojmë me forcat e sigurisë së Kosovës”, tha ndër të tjera ai.

Ministri shqiptar i mbrojtjes shtoi se ka filluar edhe investimi në infrastrukturën hekurudhore që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe portet e Detit të Zi.

Related Articles